Këtë vit, COP28 filloi me një nxitje për drejtësi klimatike. Në ditën e parë të samitit, qindra milionë dollarë u premtuan për të ndihmuar vendet në zhvillim si pjesë e “Fondit për Humbjet dhe Dëmet”.
Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, pohoi se kjo është “një shenjë e mirë”, megjithatë shuma e mbledhur përfaqëson një pjesë shumë të vogël të asaj që nevojitet çdo vit. Shumë nga komunitetet që do të preken nga kriza klimatike janë të ndjeshëm dhe të papërgatitur për të luftuar efektet e rritjes së temperaturave.
Më poshtë do të flasim për drejtësinë klimatike, përse është e rëndësishme, dhe çfarë po bëhet për të mbrojtur grupet më të prekur nga kriza klimatike.
Çfarë është drejtësia klimatike?
Drejtësia klimatike është një përpjekje globale që i jep përparësi të drejtave dhe nevojave të komuniteteve më të cënuar, duke u siguruar që të luftojmë ndryshimet klimatike në mënyrë të drejtë për të gjithë.
Drejtësia klimatike nuk lë pas grupet që preken më shumë nga efektet e ndryshimeve klimatike, pavarësisht ndikimit të paktë që ata kanë në këtë problem global. Gjatë këtij proçesi synohet një përgjigje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse ndaj sfidave klimatike.
Përse është e rëndësishme drejtësia klimatike?
Deri në vitin 2030, kriza klimatike mund të shtyjë qindra milionë njerëz për të jetuar me më pak se 2.15 dollarë në ditë – shumë prej tyre gra dhe vajza.
Ngjarjet ekstreme të motit në Afrikë, kanë çuar në vdekjen e të paktën 15,000 njerëzve këtë vit. Katastrofat natyrore vazhdojnë të bëhen më intensive, dhe të ndodhin më shpesh.
Për të ndihmuar komunitetet më të cënuar ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, liderët, politikëbërësit dhe qeveritë duhet të veprojnë! Kjo është e rëndësishme për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Cili është progresi i drejtësisë klimatike?
Në ditën e parë të samitit COP28, liderët botërorë premtuan mbledhjen e një fondi ndërkombëtar për të trajtuar dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Mbledhja e këtij fondi u planifikua në samitin e vitit të kaluar, COP27 që u mbajt në Egjipt.
Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me shtete të BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Kanadanë dhe Japoninë premtuan një shumë totale prej 650 milionë dollarësh. Edhe pse kjo shumë është shumë e ulët, krahasuar me shifrën që nevojitet çdo vit (387 miliardë dollarë) sipas raportit të OKB-së, ky është një fillim pozitiv drejt rrugës së duhur.
Çfarë duhet të ndodhë më tej?
Nuk dihet ende nëse ky fond do të jetë i mjaftueshëm, por nismat e mëparshme si Green Climate Fund kanë arritur vetëm një pjesë të objektivave të tyre. Premtimi i shteteve të pasura në vitin 2009, për të mbledhur 100 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim, u përmbush për herë të parë vetëm vitin e kaluar sipas OECD.
Drejtësia klimatike premton barazi dhe drejtësi, sidomos për sa i përket energjitikës, dhe ndalimit potencial të karburanteve fosile. Financimi është zemra e një tranzicioni global të suksesshëm, të drejtë dhe të barabartë.