Ndryshimet klimatike vërehet të kenë ndikim në popullatat e egra të shpendëve. Shkalla e këtij ndikimi, krahasimisht ndryshimeve të pësuara edhe nga shkaqe të tjera, të palidhura me klimën, është ende e paqartë. Shumë nga studimet kanë dalë me hipotezën se ndryshimet e tipareve ndër lloje – janë më së shumti pasojë e ndryshimit të klimës, tregues i cili testohet rrallë.
Në një studim të realizuar së fundi tregohet se ngrohja globale mund të ndikojë në kohën e prodhimit të vezëve, morfologjinë e trupit dhe numrin e pasardhësve të shpendëve.
Studiuesit kanë vërejtur se numri i zogjve Sylvia borin (i njohur në Shqipëri, si‘bilbili’) është zvogëluar me 25%, ndikim i cili është me pasoja të mëdha për llojin. Po ashtu, edhe për Phyllocopus collbuta është vërejtur se procesi i prodhimit të vezëve është afruar me 12 ditë. Ndërsa në disa lloje të tjera shpendësh janë vërejtur ndryshime që lidhen me përmasat trupore.
Metodologjia
Për të përcaktuar ndryshimet që vlerësohen si të lidhura me klimën dhe shkallën e tyre, u analizuan treguesit si në vijim:
– koha e lëshimit të vezëve;
– përmasat trupore;
– numri i pasardhësve.
Për këtë qëllim u shfrytëzuan të dhëna mbi shpendët nga disa vende të botës.
Të dhënat e grumbulluara nga Mbretëria e Bashkuar u përdorën për të analizuar “kohën e lëshimit të vezëve” dhe numrin e pasardhësve ndër 36 lloje, përgjatë 1966 – 2019. Të dhënat e përdorura u përgjithësuan për gjithë rajonin.
Ndërsa baza me të dhënat e mbledhura nga Hollanda u përdor për të studiuar ndryshimet e pësuara në përmasat trupore, të 47 llojeve të përzgjedhura (të shpendëve), nga 86 rajone të ndryshme, përgjatë 1994-2014.
Ndikimi i temperaturës në tipare, u vlerësua duke analizuar korrelacionin mes tyre. Për më tepër u vlerësua nëse kjo ishte pasojë direkte nga stresi prej nxehtësisë apo pasojë nga e vështirësisë në ushqyerje për shkak të rritjes së temperaturave.
Gjithashtu, shkencëtarët studiuan se çfarë ndryshimesh lidheshin me rritjen e temperaturave dhe nëse kjo rritje preku disa lloje ose disa tipare më shumë se të tjerat, si dhe nëse kanë ndikuar faktorë të tjerë përveç temperaturës, të cilët i kanë përforcuar këto efekte.
Rezultatet
Rezultatet e përftuara treguan se megjithëse më shumë se gjysma e ndryshimeve të tipareve janë të lidhura me rritjen e temperaturës dhe ky faktor mund të jetë faktori kryesor që ka nxitur ndryshimin gjatë viteve, edhe faktorë të tjerë si urbanizimi, ndotja, humbja e habitatit etj., mund që gjithashtu të ndikojnë në ndryshueshmërinë e tipareve.
Rezulatet treguan se, ndryshimi i klimës bëri që Phylloscopus collybita (bilbili) t’a përshpejtojë procesin e lëshimit të vezëve me gjashtë ditë, por faktorë të tjerë të panjohur mjedisorë çuan në gjashtë ditë të tjera shtesë, që do të thotë në total, ky proces fillon rreth 12 ditë më shpejt, krahasuar me një gjysmë shekulli më parë”, tha Martijn van de Pol, autori kryesor i artikullit nga Universiteti James Cook në Australi.
Një ndryshim kaq i madh në jetën e këtij zogu mund të shkaktojë një mospërputhje midis kohës së çeljes së vezëve dhe kohës kur burimet ushqimore janë të disponueshme, një faktor i cili ndikon edhe në ekuilibrin e ekosistemit.
Sipas studimit, mesatarisht, deri në 57% e ndryshimit të përgjithshëm gjatë dekadave të fundit mund të lidhet me rritjen e temperaturës. Rreth 32% e 60 specieve të zogjve të studiuar, kishin ndryshime në përmasat e trupit për shkak të temperaturave. U zbulua një rënie mesatare prej 0.45% në madhësi, për çdo rritje të nxehtësisë më një gradë celsius. Rreth 86% shfaqën ndryshime në kohën e lëshimit të vezëve dhe 31% rezultuan të kenë ndryshime në numrin e tyre të pasardhësve.
Më specifikisht, popullata e “Bilbilit” në Mbretërinë e Bashkuar rezultoi të ketë pësuar një rënie prej 26% në numrin mesatar të pasardhësve gjatë gjysmëshekullit të kaluar, një fakt shumë shqetësues për jetëgjatësinë e kësaj specieje”- tha Nina MekLean, kërkuesja kryesore në studim, nga Shkolla Kërkimore e Biologjisë ANU. “Por vetëm gjysma e 26 %, pra vetëm 13%, i atribuohet ndryshimit të klimës.”
Por, jo të gjitha llojet janë prekur në të njëjtën mënyrë. Disa, ashtu si Phoenicurus phoenicurus (bishtkuqi i mureve), kanë pësuar rritje në përmasat e tyre trupore dhe në numrin e pasardhësve.
“Studimi jep një shpjegim të mirë pse specie të ndryshme, ndryshojnë në norma të ndryshme. Dhe kjo nuk ka të bëjë me ndjeshmërinë ndaj temperaturës, por me disa faktorë të tjerë” është shprehur edhe Shahar Dubiner, një ekolog në Universitetin e Tel Avivit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. Por studimet e këtij të fundit kanë zbuluar në mënyrë të ngjashme, ndryshime dramatike në formën dhe përmasat trupore për më shumë se gjysmën e specieve izraelite të shpendëve, duke përfshirë edhe shumë specie që migrojnë nga Evropa (lejlekët).
Ngrohja globale është ndoshta faktori më i madh, e cila nxit ndryshimin e tipareve, por nuk është elementi i vetëm në lojë. Faktorë të tjerë, mund të luajnë një rol më të rëndësishëm se ajo çfarë është menduar më parë.