Në planetin tonë, temperaturat mesatare të ajrit kanë filluar të rriten që nga periudha e Revolucionit Industrial. Edhe pse ciklet natyrore luajnë njëfarë roli, provat e shumta shkencore tregojnë se aktiviteti njerëzor është përgjegjësi kryesor i kësaj ngrohjeje në shkallë globale.
Bazuar në analizat e vazhdueshme të temperaturave të matura, proces ky i udhëhequr nga studiuesit e Institutit Goddard për Studimet Hapësinore (GISS), pranë NASA-s, temperatura mesatare globale në Tokë është rritur me të paktën 1.1° Celsius (1.9° Fahrenheit) që nga viti 1880. Rritja e përshpejtuar e temperaturave është bërë më evidente që nga viti 1975, ku norma e rritjes arriti midis vlerave 0.15°C dhe 0.20°C për dekadë.
Në videon e mësipërme tregohet se si ka ndryshuar temperatura duke marrë vitin 1880 si pikënisje. Të dhënat pasqyrojnë se sa më i ngrohtë apo më i ftohtë është çdo rajon, krahasuar me periudhën 1951-1980, të marrë si bazë reference.
Grafikët tregojnë se ngrohje globale nuk do të thotë rritje e njëtrajtshme temperaturash në të gjitha rajonet dhe me të njëjtin intensitet. Temperaturat mund të rriten me 5 gradë në një rajon dhe të bien 2 gradë në një tjetër. Për shembull, një dimër jashtëzakonisht i ftohtë në një vend, mund të ekuilibrohet nga një dimër jashtëzakonisht i ngrohtë në një pjesë tjetër të globit.
Në përgjithësi, ngrohja është më e theksuar mbi sipërfaqen e kontinenteve sesa mbi atë të oqeaneve sepse uji e tërheq dhe e çliron më ngadalë nxehtësinë (proces i njohur si inerci termike). Por, edhe nëse krahasojmë masat kontinentale midis tyre apo ato oqeanike me njëra-tjetrën, diferencat në ngrohje mund të jenë të konsiderueshme.
Në videon në krye dhe në tabelën e mëposhtme, vitet nga 1880 deri në 1939 kanë tendencën të jenë më të freskëta, e duke shkuar më tej drejt njëfarë normalizimi rreth viteve 1950. Dekadat brenda periudhës bazë (1951-1980) nuk janë veçanërisht të ngrohta ose të ftohta, duke shërbyer si standardi mbi të cilin nisemi për matjen e viteve të tjera.
Normalizimi i temperaturave në mes të shekullit të 20-të mund të shpjegohet me variabilitetin natyror dhe me efektet ftohëse të aerosoleve të prodhuara nga fabrikat, centralet elektrike dhe automjetet motorike, në vitet e rritjes së shpejtë ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore. Përdorimi i lëndëve djegëse si nafta dhe gazi natyror u rrit edhe më shumë në vitet e pas-luftës (5% në vit), duke nxitur kësisoj edhe shtimin e shkarkimeve të gazeve serë në atmosferë.
Çka njihet si efekti ftohës i aerosoleve çoi në ulje të shpejtë të temperaturave. Në të njëjtën kohë, gazet serë janë akumuluar dalëngadalë në atmosferë, duke qëndruar aty për një kohë shumë më të gjatë se aerosolet. Sipas ish-drejtorit të GISS-it, James Hansen, trendi “i qëndrueshëm” i ngrohjes në katër dekadat e fundit ka të ngjarë të pasqyrojë një zhendosje nga periudha në të cilën ka një efekt të ekuilibruar të aerosoleve dhe gazeve serë në atmosferë, drejt periudhës së mbizotërimit të gazeve serë. Diçka e tillë mund të ketë noddhur pasi sasia e aerosoleve është frenuar, pjesërisht si pasojë e kontrolleve mbi ndotjen.
Pse duhet të jemi të interesuar për ngrohjen e planetit me një ose 2 gradë? Në fund të fundit, temperaturat luhaten me shumë gradë çdo ditë në vendet ku jetojmë!
Temperaturat në nivel lokal dhe për periudha afatshkurtra mund të kenë luhatje të ndjeshme për shkak të ngjarjeve të ndryshme, të parashikueshme ose jo, si era, reshjet, etj. Por, temperatura mesatare globale varet kryesisht nga energjia që merr planeti nga Dielli dhe sa rrezatohet përsëri në hapësirë. Energjia që vjen nga Dielli, ka luhatje shumë të pakta në vit, ndërsa sasia e energjisë së rrezatuar nga Toka është e lidhur ngushtë me përbërjen kimike të atmosferës, veçanërisht sasinë e gazeve serë, të cilat “kapin” nxehtësinë.
Ndryshimi i temperaturës globale me një gradë është domethënës sepse për të ngrohur kaq shumë oqeanet, atmosferën dhe masat tokësore, duhet një sasi e madhe nxehtësie. Në shkuarën, mjaftoi një rënie prej 1 deri në 2 gradësh që Toka të zhytej në të ashtuquajturën Epoka e Vogël e Akullnajave. Një rënie prej 5 gradësh ishte e mjaftueshme për të varrosur një pjesë të madhe të Amerikës së Veriut poshtë një mase të lartë akulli 20.000 vite më parë..
Matjet e besueshme të temperaturës globale kanë nisur rreth viteve 1880 pasi më herët një pjesë e konsiderueshme e planetit nuk mbulohej nga aparaturat matëse. Regjistrimet e temperaturës globale filluan rreth vitit 1880, sepse vëzhgimet nuk e mbulonin mjaftueshëm planetin përpara asaj kohe. Grafiku i mësipërm pasqyron ndryshimet vjetore të temperaturës mesatare nga viti 1880 deri në vitin 2020, bazuar në matjet e NASA-s, NOAA-s, grupit kërkimor Berkeley Earth, Qendrës Met Office Hadley (Mbretëri e Bashkuar), dhe Modelit Cowtan dhe Way. Megjithëse ka ndryshime të vogla nga viti në vit, të pesta burimet janë të sinkronizuara për sa i përket uljeve dhe ngritjeve të temperaturave. Të gjitha analizat flasin për përshpejtim të ngrohjes në këto dekada dhe në gjetjet e tyre, dekada e fundit rezulton të jetë më e nxehta.
Analizat e temperaturës nga NASA përfshijnë matjet e temperaturës së sipërfaqes nga më shumë se 20.000 stacione meteorologjike, vëzhgime të realizuara në anije dhe në stacionet e temperaturave të sipërfaqes së detit, si dhe matjet e temperaturës nga stacionet kërkimore të Antarktidës. Këto matje in-situ analizohen duke përdorur një algoritëm, i cili merr në konsideratë distancën ndërmjet stacioneve meteorologjike përreth globit dhe efektin e ishullit të nxehtësisë urbane.
«Shkenca nuk lë vend për dyshime: ndryshimi i klimës është kërcënimi ekzistencial i kohës sonë» – shprehet administratori i NASA-s Bill Nelson» Tetë nga dhjetë vitet më të nxehta në planetin tonë i përkasin kësaj dekade, një fakt i padiskutueshëm që thekson nevojën për veprim të guximshëm për të mbrojtur të ardhmen e vendit tonë dhe të të gjithë njerëzimit”/ NASA